Transmetuar më 06-09-2026, 17:06

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me kontrollin e zhvilluar më 3 shtator në burgun e Durrësit, ku në sektorin B janë gjetur gjashtë aparate celularë.

Sipas informacioneve të bëra publike, katër prej telefonave dyshohet se u përkisnin vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Adi Çobës, i njohur si “Bozholi”, dhe Renardo Nallbanit.

Telefonat dyshohet se ishin fshehur brenda një thesi boksi, i cili ndodhej në ambientet e palestrës së burgut. Aparatet janë sekuestruar dhe i janë dërguar SPAK-ut, ku pritet t’i nënshtrohen këqyrjes dhe analizimit në laboratorin e ekspertizës së posaçme.

Për vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, kjo nuk është hera e parë që konstatohet një telefon në ambientet e burgut. Gjatë një kontrolli të zhvilluar më 15 maj, njërit prej tyre i ishte gjetur gjithashtu një iPhone.

Vëllezërit Hoxhosmani janë të përfshirë në një hetim për një grup kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar më shumë se 6 tonë drogë, me një vlerë të përllogaritur rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt Europës.

Klevis dhe Artur Hoxhosmani u arrestuan pas një hetimi rreth njëvjeçar, ku një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe dëshmitë e Erion Alibej, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë.

Nga hetimet rezulton se grupi ka qenë aktiv gjatë viteve 2020-2021 në disa shtete europiane, duke u përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Tashmë, përmbajtja e gjashtë aparateve celulare pritet të analizohet nga ekspertët, ndërsa të dhënat e tyre mund t’u shërbejnë hetuesve për të verifikuar komunikimet dhe kontaktet e personave të dyshuar brenda dhe jashtë ambienteve të burgut.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit