

Radhë të gjata janë krijuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë po përballen me pritje prej më shumë se një ore.
Fluksi i lartë i lëvizjeve lidhet me fundjavën, por edhe me numrin e madh të banorëve të Korçës dhe zonave të juglindjes që zgjedhin të kalojnë kufirin për të bërë blerje, kryesisht ushqimore.
Çmimi më i ulët i karburantit, së bashku me diferencat në çmimet e produkteve ushqimore dhe artikujve të konsumit të përditshëm, po i shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë të udhëtojnë drejt Greqisë për furnizimet e tyre.
Banorët e zonave pranë kufirit shprehen se blerjet në Greqi janë kthyer në një alternativë për të ulur shpenzimet familjare, veçanërisht në një periudhë kur kostoja e jetesës vijon të mbetet e lartë.
Për të përballuar fluksin e shtuar, Policia Kufitare në Kapshticë rrit gjatë fundjavave numrin e sporteleve në hyrje dhe dalje, ndërsa zbatohen edhe procedura të përshpejtuara për përpunimin e udhëtarëve.
Sipas burimeve nga pika kufitare, gjatë fundjavave përmes Kapshticës kalojnë në dalje nga Shqipëria më shumë se 10 mijë shtetas. Rritja e lëvizjeve shoqërohet me pritje të gjata, veçanërisht gjatë orareve të pikut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






