

Një natë e zakonshme në banesën e influencers së njohur spanjolle Rocío Osorno u kthye në një moment paniku, pasi dy persona të maskuar dyshohet se depërtuan në shtëpinë e saj ndërsa ajo dhe familjarët ndodheshin brenda.
Në momentin e incidentit, Osorno ishte në katin e sipërm të banesës duke xhiruar materiale për rrjetet sociale. Ajo nuk kishte kuptuar se në katin tjetër po lëviznin personat që kishin hyrë në shtëpi përmes një dritareje.
Gjithçka u zbulua kur influencerja vuri re se një dritare, e cila sipas saj zakonisht mbahej e mbyllur, ishte e hapur.
Dyshimi se dikush mund të kishte hyrë në banesë e bëri të reagojë menjëherë. Ajo nisi të paralajmërojë familjarët dhe t’u kërkojë të largoheshin drejt një zone të sigurt.
Në regjistrimet e kamerave të sigurisë dëgjohen edhe personat e dyshuar duke komunikuar në gjuhën shqipe:
“Ej… na këtë merre këtë.”
– “Ku ta çoj?”
– “Hajde të ikim o burrë!”
– “Jena keq këtu…”
– “Hajde të ikim o burrë se na q**e nanën!”
Vetë Osorno ka rrëfyer më pas se gjithçka ndodhi në pak çaste dhe se prania e familjarëve në banesë e bëri situatën edhe më alarmante.
“Ishim të gjithë në shtëpi. Isha lart duke regjistruar dhe, falë Zotit, pashë dritaren e hapur. Në atë moment kuptova se ishte dikush aty dhe ika me vrap”, ka treguar ajo.
Në ato momente, në banesë kishte mbërritur edhe ish-bashkëshorti i saj, deputeti i VOX-it, Jacobo Robatto. Sipas influencers, prania e tij ndihmoi në menaxhimin e situatës dhe në njoftimin e menjëhershëm të autoriteteve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






