Transmetuar më 06-09-2026, 13:32

TIRANË – Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze në kryeqytet, me fokus te pronësia, origjina dhe burimi financiar i përdorur për blerjen e tyre.

Sipas Policisë, aksioni synon identifikimin e automjeteve që mund të jenë përfituar përmes veprimtarisë kriminale, si dhe evidentimin dhe parandalimin e rasteve të trafikimit të paligjshëm të mjeteve.

Në kuadër të operacionit, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, kanë kontrolluar dhjetëra automjete luksoze në zona të ndryshme të Tiranës.

Për verifikimin e mjeteve është përdorur një aparaturë e posaçme, përmes së cilës kontrollohen të dhënat identifikuese të automjeteve. Pas verifikimit në sistem, efektivët kanë kryer kontrolle të mëtejshme mbi pronësinë, origjinën dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm i kontrolleve ka qenë verifikimi i burimit të të ardhurave të përdorura për blerjen e automjeteve. Sipas Policisë, qëllimi është evidentimi i rasteve kur pasuria mund të jetë krijuar apo siguruar përmes veprimtarisë kriminale.

Autoritetet kanë verifikuar gjithashtu nëse automjetet e kontrolluara mund të jenë të përfshira në skema të trafikimit të paligjshëm.

“Për verifikimin e mjeteve është përdorur një aparaturë e posaçme, përmes së cilës kontrollohen të dhënat identifikuese të automjeteve. Pas verifikimit në sistem, Policia ka kryer kontrolle të mëtejshme mbi pronësinë, origjinën dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të tyre”, njofton Policia e Tiranës.

Në përfundim të verifikimeve, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, e cila pritet të vijojë me hetimet dhe veprimet e mëtejshme ligjore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit