Transmetuar më 06-09-2026, 12:07

Një grup prej 20 personash është vënë në pranga në Sarandë pas një hetimi dymujor për shpërndarje droge dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se shisnin kokainë dhe kanabis në Sarandë dhe Ksamil, kryesisht në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe në afërsi të shkollave.

Të arrestuarit janë të moshave nga 20 deri në 54 vjeç dhe banues kryesisht në Sarandë e Ksamil. Ndaj tyre Gjykata e Sarandës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, të cilat iu gjetën D. S. dhe Sh. B., si dhe sasi kokaine dhe kanabisi të ndara në dhjetëra doza, që dyshohet se ishin përgatitur për shitje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu katër automjete, 19 telefona celularë dhe një shumë parash në lekë dhe euro.

Operacioni lidhet me një hetim që kishte nisur të paktën dy muaj më parë. Më 31 korrik 2026, në kuadër të të njëjtit procedim, ishin arrestuar edhe tre persona të tjerë, A. N., A. C. dhe K. J.

Në atë rast u sekuestruan 5 kilogramë kanabis, që dyshohet se do të shpërndaheshin në Sarandë dhe Ksamil.

Gjatë operacionit të fundit u procedua në gjendje të lirë edhe E. N., 36 vjeç, nga Lushnja, pasi dyshohet se kundërshtoi kontrollin në një dhomë hoteli ku u kap Sh. B. dhe ku u gjet një nga pistoletat.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të arrestuar dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal.

E plotë

Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vjeshta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Operacioni, pas një hetimi proaktiv 2-mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.

Kapen dhe ndalohen 20 shtetas. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, automjete dhe aparate celulare.

Dy muaj më parë, në kuadër të këtij procedimi, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u sekuestruan 5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësitë Fier dhe Tiranë, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan e Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurores, znj. Esmeranda Basho, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Vjeshta”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, konkretisht:

A. O., 25 vjeç; F. F., 27 vjeç; M. M., 35 vjeç; K. P., 27 vjeç; R. A., 33 vjeç, banues në Ksamil; N. R., 32 vjeç; A. A. (D), 48 vjeç; E. D., 41 vjeç; Dh. T., 33 vjeç; Xh. M., 27 vjeç; V. K., 23 vjeç; F. L., 54 vjeç; B. K., 26 vjeç; Sh. B., 20 vjeç; A. B., 20 vjeç; N. R., 24 vjeç; E. D., 30 vjeç; D. S., 22 vjeç; K. O., 28 vjeç dhe F. B., 30 vjeç, banues në Sarandë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në bazë të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, shtetasve D. S. dhe Sh. B. policia u gjeti nga një armë zjarri pistoletë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu sasi të lëndës narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në dhjetëra doza me qëllim shitjen, 4 automjete, 19 aparate celulare dhe një shumë parash, në lekë dhe euro.

Ndërkohë, gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi kundërshtoi shërbimet e Policisë për të mos ushtruar kontroll në një nga dhomat e hotelit, ku u kap shtetasi Sh. B. dhe iu gjet një armë zjarri pistoletë.

Më parë, në kuadër të këtij procedimi, më datë 31.07.2026, janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. N., A. C. dhe K. J., si dhe u sekuestruan 5 kg lëndë narkotike kanabis, të cilën dyshohet se synonin ta shpërndanin në Sarandë dhe Ksamil.

Nga hetimet rezulton se këta shtetas ushtronin veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike në rrethin e Sarandës, në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe në afërsi të shkollave.

Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit