

Sherr për xhelozi në Itali, 22-vjeçari shqiptar godet me thikë 35-vjeçarin maroken
Britma, ndjekje dhe thika pranë stacionit të Treviglios. Një konflikt që dyshohet se nisi për xhelozi përfundoi me 35-vjeçarin në spital dhe shqiptarin 22-vjeçar në burg për tentativë vrasjeje
Një konflikt i nisur dyshohet për motive xhelozie ka përfunduar me një 35-vjeçar maroken të plagosur rëndë me thikë dhe një 22-vjeçar shqiptar në burg, nën akuzën e tentativës së vrasjes.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Treviglio, pranë stacionit hekurudhor, në provincën e Bergamos në Itali.
Sipas rindërtimit të deritanishëm, shqiptari dhe 35-vjeçari zbritën rreth orës 22:00 nga i njëjti tren, ndërsa në stacion marokenin po e prisnin edhe dy miq të tij. Debati kishte nisur që më herët dhe situata u përshkallëzua me shpejtësi. Në qendër të konfliktit dyshohet se ishte e dashura e 35-vjeçarit.
Një dëshmitar, pronar i një lokali pranë stacionit, ka treguar se pa grupin duke u grindur sapo zbritën nga treni. Sipas tij, 22-vjeçari shqiptar bërtiste: “Marokenë, do t’ju vras!”.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar fazën e parë të konfliktit. Sipas hetuesve, në nënkalimin e stacionit 35-vjeçari maroken dyshohet se kërcënoi shqiptarin me një thikë të madhe kuzhine.
Përplasja nuk përfundoi aty.
Në një parking në Viale Vittorio Veneto, pranë xhamisë, 22-vjeçari shqiptar dyshohet se e ndoqi 35-vjeçarin i armatosur me dy thika dhe e goditi në krah dhe në pjesën e poshtme të shpinës.
“I pashë shqiptarin duke e ndjekur tjetrin dhe duke e goditur me thikë në shpinë”, ka treguar një dëshmitar.
35-vjeçari humbi një sasi të madhe gjaku dhe u transportua në spitalin e Treviglios në gjendje të rëndë. Gjendja e tij më pas u stabilizua, por ai vazhdon të jetë i shtruar me prognozë të rezervuar.
22-vjeçari shqiptar, banues në Verona, u arrestua po atë mbrëmje. Karabinierët sekuestruan edhe thikën palosëse që dyshohet se u përdor në sulm.
Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka pranuar se e kishte goditur 35-vjeçarin me thikë, por ka pretenduar se kishte reaguar për t’u mbrojtur nga sulmi i tij. Ai ndodhet në burg nën akuzën e tentativës së vrasjes dhe pritet të dalë të hënën përpara gjyqtarit për seancën e vlerësimit të masës së arrestit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






