

NEPAL – Një 64-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga ekipet e shpëtimit në Nepal, më shumë se 10 ditë pasi një masë e madhe akulli, shkëmbinjsh dhe balte përfshiu një luginë në zonën e Himalajeve.
Chandika Shrestha u gjet më 5 shtator nga pjesëtarë të Forcës së Armatosur të Policisë së Nepalit, të cilët po vijonin operacionet e kërkim-shpëtimit në distriktin Nuuakot.
Gruaja u zbulua në katin e katërt të banesës së saj, e cila ishte pjesërisht e mbuluar nga balta. Shpëtimi i saj është cilësuar si i jashtëzakonshëm, pasi kishte kaluar më shumë se një javë nga fatkeqësia dhe shpresat për gjetjen e të mbijetuarve ishin gjithnjë e më të pakta.
Pas nxjerrjes nga banesa, 64-vjeçarja u transportua me helikopter drejt një spitali në Kathmandu, ku po merr trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat e prekura, duke kontrolluar rrënojat dhe masat e baltës me shpresën për të gjetur persona të tjerë që mund të kenë mbijetuar.
Fatkeqësia ka shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të Nepalit. Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer malor dhe vështirësive në aksesin e zonave të prekura.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






