

ITALI – Një konflikt i dyshuar për motive xhelozie përfundoi me plagosjen e rëndë të një 35-vjeçari me origjinë marokene pranë stacionit të trenit në Treviglio, Itali. Për ngjarjen është arrestuar një 22-vjeçar shqiptar, i cili ndodhet në burg nën akuzën e tentativës së vrasjes.
Ngjarja ndodhi të enjten, rreth orës 22:00. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, 22-vjeçari dhe 35-vjeçari zbritën nga i njëjti tren në stacionin e Treviglios, ku marokenin e prisnin edhe dy miq.
Mes tyre nisi një debat, i cili më pas degjeneroi në përplasje fizike. Një pronar lokali pranë stacionit u ka deklaruar hetuesve se i kishte parë dy të rinjtë duke debatuar që në momentin kur zbritën nga treni. Sipas dëshmisë së tij, 22-vjeçari shqiptar dyshohet se ka kërcënuar personat e përfshirë në konflikt, duke thënë: “Do t’ju vras”.
Pamjet e kamerave të sigurisë janë marrë në shqyrtim nga karabinierët, në përpjekje për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Sipas versionit paraprak të hetuesve, 35-vjeçari dyshohet se e kishte kërcënuar më herët shqiptarin në nënkalim, duke përdorur një thikë kuzhine. Megjithatë, konflikti nuk përfundoi në stacion.
Pak më vonë, në një parking përgjatë bulevardit Vittorio Veneto, pranë xhamisë, 22-vjeçari dyshohet se ka ndjekur 35-vjeçarin dhe e ka goditur me thikë në krah dhe në pjesën e mesit të shpinës. Sipas hetimeve, i riu kishte me vete dy thika.
Sulmi është parë nga disa dëshmitarë, përfshirë persona që po shkonin drejt xhamisë. Një grua që ndodhej pranë vendngjarjes ka njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
35-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin e Treviglios në gjendje të rëndë. Gjendja e tij shëndetësore më pas është stabilizuar, ndërsa ai vijon të qëndrojë i shtruar nën kujdesin e mjekëve dhe me prognozë të rezervuar.
22-vjeçari shqiptar u arrestua po atë mbrëmje nga karabinierët e Treviglios. Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm për të përcaktuar me saktësi se si ka nisur dhe si është zhvilluar konflikti.
Gjatë marrjes në pyetje në burg nga prokurorja Giulia Angeleri, i riu ka pranuar se e ka goditur 35-vjeçarin me thikë. Megjithatë, ai ka pretenduar se ka reaguar për t’u mbrojtur pas një sulmi të mëparshëm, duke mohuar se ka pasur qëllim për ta vrarë.
Sipas elementeve të deritanishme të hetimit, në qendër të konfliktit dyshohet se qëndron një marrëdhënie sentimentale, ndërsa autoritetet vijojnë të punojnë për të sqaruar motivet dhe përgjegjësitë e plota të secilit person të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






