Transmetuar më 06-09-2026, 09:45

Një mumje e lashtë egjiptiane, fytyra e së cilës ka mbetur e fiksuar në një shprehje që ngjan me një britmë, ka intriguar shkencëtarët për afro 3 mijë vjet. Gruaja mbeti për dekada një mister për studiuesit, ndërsa pamja e saj ngriti pikëpyetje mbi mënyrën dhe shkakun e vdekjes.

Mumja e gruas së paidentifikuar u zbulua në vitin 1935 në Tebë, Egjipt. Arkeologët vunë re menjëherë gojën e hapur dhe tiparet e fytyrës, të cilat krijonin përshtypjen se ajo kishte vdekur duke bërtitur.

Fillimisht u hodh dyshimi se kjo pamje mund të ishte shkaktuar nga një proces i dobët mumifikimi. Megjithatë, analizat e mëvonshme treguan se trupi ishte trajtuar me materiale të kushtueshme dhe se gruaja i përkiste një shtrese të pasur të shoqërisë egjiptiane.

Ajo ishte varrosur pranë familjes së Senmutit, arkitektit mbretëror të faraones Hatshepsut. Gjatë mumifikimit ishin përdorur rrëshira të importuara, përfshirë temjan nga vendi i lashtë i Puntit dhe rrëshirë dëllinje.

Gruaja kishte gjithashtu një paruke të përpunuar me fibra palme hurme, të trajtuara me këna dhe të dekoruara me një përzierje mineralesh, çka tregon statusin e saj të lartë shoqëror.

Në vitin 2024, mumja iu nënshtrua ekzaminimeve të avancuara nga radiologia e mumjeve Sahar Saleem, nga Universiteti i Kajros, dhe Samia El-Merghani, nga Ministria egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve. Studiuesit përdorën skanime me rreze X dhe tomografi të kompjuterizuar (CT), si dhe analiza mikroskopike dhe kimike.

Rezultatet treguan se gruaja ishte rreth 1.52 metra e gjatë dhe kishte vdekur në moshën afërsisht 48-vjeçare. Në trup u konstatuan shenja konsumimi në dhëmbë dhe kyçe, ndërsa krahët i kishte të vendosur përgjatë trupit.

Megjithatë, shkencëtarët nuk arritën të përcaktonin me siguri shkakun e vdekjes. Mes hipotezave të ngritura janë një atak në zemër, një goditje në tru, këputja e një aneurizme, si dhe mundësia e helmimit nga një gjarpër.

Pamja e pazakontë e fytyrës mbetet një prej karakteristikave më intriguese të mumjes, ndërsa analizat moderne kanë ndihmuar studiuesit të hedhin më shumë dritë mbi jetën dhe statusin e kësaj gruaje që jetoi në Egjiptin e lashtë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit