Transmetuar më 06-09-2026, 09:30

Një mesazh në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shfaqet të hënën në ekranet gjigante të “Times Square” në New York, pak ditë para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Mesazhi “Liri për Çlirimtarët”, i shoqëruar me fotografitë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, do të transmetohet nga mesnata e së hënës deri në orën 23:59. Sipas njoftimit të Shpend Gjocajt, videoja do të shfaqet nga 15 deri në 30 sekonda në çdo orë.

Nisma vjen pas vendosjes së mesazheve dhe instalacioneve të ngjashme në Kosovë dhe në Gjermani. Në Prishtinë është vendosur “Ora e Pritjes”, një instalacion në bulevardin “Nënë Tereza” që numëron mbrapsht deri në ditën e vendimit. Platforma “Liria ka Emër” e ka shtrirë këtë nismë edhe në Prizren, në sheshet “Shatërvan” dhe “Skënderbeu”, ndërsa instalacioni është vendosur edhe në Dyseldorf.

Më 12 shtator, platforma ka paralajmëruar gjithashtu një marshim në Prishtinë me moton “Kosova po pret”.

Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020, ndërsa akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.

Në shkurt të këtij viti, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi dolën për herë të tretë para Gjykatës Speciale për të dhënë deklarimet e tyre. Gjatë dëshmive, ata kanë mohuar akuzat dhe kanë theksuar luftën për çlirimin e Kosovës dhe rolin e UÇK-së në përballjen me regjimin serb.

Mbrojtja ka kërkuar shpalljen e pafajësisë së tyre, duke kundërshtuar akuzat e prokurorisë dhe duke argumentuar se ato nuk mbështeten në prova të mjaftueshme. Vendimi për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të merret më 16 shtator.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit