Transmetuar më 06-09-2026, 07:59

Situata në Frakull të Fierit është qetësuar pas zjarrit masiv që përfshiu kodrat e zonës dhe disa fshatra përreth. Aktualisht raportohet vetëm një vatër zjarri, ku po ndërhyjnë rreth 30 trupa të Forcave të Armatosura.

Pavarësisht qetësimit të situatës, prania e një masivi të madh me pisha mbetet shqetësuese, pasi favorizon riaktivizimin dhe përhapjen e flakëve.

Zjarri nisi pasditen e së premtes dhe vijoi deri gjatë së shtunës, duke përfshirë një masiv në kodrat e Frakullës dhe pesë fshatra të tjerë. Për shuarjen e flakëve u angazhuan edhe mjete ajrore, përfshirë avionët “Air Tractor”.

Situata e krijuar detyroi autoritetet të kryenin edhe evakuime në zonat e rrezikuara. Me përmirësimin e gjendjes, banorët e evakuuar u rikthyen në banesat e tyre.

Ndërkohë, Policia ka arrestuar një 50-vjeçar në Daullas, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarr për të djegur barishte, por flakët i kanë dalë jashtë kontrollit.

Për zjarrin masiv që përfshiu zonën e Frakullës, autori ende nuk është identifikuar, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të rënies së zjarrit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit