Transmetuar më 05-09-2026, 23:40

Konfliktet për pronat vijojnë të mbeten një nga problematikat më të mprehta në Shqipëri, ndërsa pasojat e tyre ndër vite kanë qenë të rënda edhe në aspektin social dhe të sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, duke komentuar përplasjen mes biznesmenëve në Vlorë për çështjen e pronës, e cilësoi rastin e Radhimës si “majën e ajsbergut” të një problemi shumë më të gjerë.

Sipas Softës, rreth 10-11 mijë persona janë vrarë në Shqipëri si pasojë e konflikteve për pronën, nga fillimi i periudhës së demokracisë deri në ditët e sotme. Eksperti theksoi se bëhet fjalë për një shifër që, sipas tij, tregon përmasat e konfliktit të pronësisë në vend.

“Radhima ishte maja e ajsbergut të problematikave që ka për pronat. Në qoftë se do kërkojmë statistika, nuk e di, mundohesh të kërkosh, po të paktën aq sa gjeta janë rreth 10.000-11.000 të vrarë vetëm për konfliktet me pronën, nga fillimi i demokracisë dhe deri në ditët e sotme”, deklaroi Softa.

Ai u shpreh se konfliktet e pronësisë kanë shkaktuar pasoja të rënda sociale, duke sjellë përçarje brenda familjeve dhe konflikte mes familjeve apo fiseve.

“11.000 të vrarë në Shqipëri nga prona, problemet e pronës. Janë prishur familje të tëra për konflikte me pronën, janë prishur fise”, tha eksperti.

Softa argumentoi se edhe përplasjet mes bizneseve të mëdha, sipas tij, shpesh kanë në themel interesa të lidhura me pronën, veçanërisht në zonat ku vlera ekonomike e tokës është rritur ndjeshëm.

Sipas tij, problematika e pronësisë është shtrirë në të gjithë territorin e vendit dhe është ndërlikuar ndër vite nga interesat ekonomike dhe politike.

“Kështu që ky është një problem madhor që ne ende nuk e zgjidhëm si shtet, nuk e zgjidhëm si shoqëri dhe vazhdojmë ta mbartim këtë gjë”, u shpreh Softa.

Eksperti e lidhi zgjidhjen e çështjes së pronës edhe me sigurinë kombëtare, duke argumentuar se pasiguria mbi pronësinë krijon terren për konflikte të reja.

“Është shumë e rëndësishme kur themi elementet e sigurisë kombëtare, baza është prona, sepse pa zgjidhur problemin e pronës dhe të pronësisë nuk mund të zgjidhësh dot probleme të cilat janë sot dhe agravojnë pikërisht për shkak të këtyre konflikteve që vijnë nga ekonomia”, përfundoi ai.

Shënim: Shifra prej 10-11 mijë viktimash është deklaruar nga eksperti Fatjon Softa dhe në këtë material nuk paraqitet si statistikë zyrtare e konfirmuar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit