Transmetuar më 05-09-2026, 22:50

Kryeministri Edi Rama ka vizituar pasditen e kësaj të shtune zonën e Himarës, e cila u përfshi nga zjarri gjatë natës së kaluar.

Gjatë vizitës, Rama pa nga afër situatën në terren dhe u takua me banorët e zonës, ndërsa falënderoi efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të tjera që u angazhuan për përballimin e situatës.

Zjarri që përfshiu kodrat e Himarës shkaktoi panik mes banorëve dhe turistëve, ndërsa situata u përkeqësua gjatë orëve të natës. Autoritetet u kërkuan qytetarëve të largoheshin nga banesat në rast se konstatonin rrezik për jetën.

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, u bëri thirrje banorëve të tregoheshin të kujdesshëm dhe publikoi numrat e kontaktit për rastet emergjente.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave në terren dhe punës së pandërprerë gjatë gjithë natës, flakët shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale. Gjashtë banesa raportohet se u shkrumbuan plotësisht.

Fatmirësisht, nga zjarri nuk pati viktima apo persona të lënduar.

Gjatë ditës së sotme, autoritetet kanë deklaruar se banorët e Himarës, por edhe qytetarët e zonave të tjera të prekura nga zjarret, përfshirë Fierin, do të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara.

Gjatë takimit me banorët, Rama është shprehur me një mesazh optimist për përballimin e situatës: “Çfarë s’na vret, na bën më të fortë.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit