Transmetuar më 05-09-2026, 21:24

Në ditën e 98-të pa ndalim, protesta kombëtare e qytetarëve paralajmëroi sot se ditën e Martë para Parlamentit do të ketë një tjetër tubim dhe njoftuan se do të "armatosen" me miell, vezë dhe domate që do t’ua "dhurojnë" deputetëve që siç theksuan, nuk i përfaqësojnë.

“Këto ditë prisnim kur do të zhvillohet seanca e parë plenare që t’u bëjmë vizitë deputetëve. A jeni gati? A do t’i presim me vezë, domate dhe miell apo jo? Të gjithë ata që kanë ngulmuar që kjo protestë të ndryshojë, iu them se kjo protestë do vazhdojë kështu”, tha një protestues në foltoren para Kryeministrisë.

Ai paralajmëroi se protestuesit do të jenë të pranishëm pranë Parlamentit gjatë çdo seance plenare dhe kjo do të nisë javën e ardhshme.

“Ditën e martë, në orën 5 pasdite do të jemi te Parlamenti, pasi fillon seanca e parë plenare. A do jemi të martën te Parlamenti apo jo? A do t’i presim deputetët me vezë dhe domate apo jo? A do u themi që nuk na përfaqësoni apo jo?”, tha ai dhe shtoi:

“Ne do të vijojmë protestën si çdo ditë, por betohemi se në çdo seancë plenare do të na kenë te dera. Nuk pranojmë të përfaqësohemi nga Flamur Noka dhe Zeqineja. Ky shtator do ta gjejë të gjithë popullin në revoltë”, u shpreh ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit