

Partizani ka marrë fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 3-2 në “Loro Boriçi”, në një sfidë dramatike që u vendos vetëm në minutat shtesë.
Ndeshja dhuroi pesë gola, dy përmbysje të avantazhit dhe një fund spektakolar, me Partizanin që fitoi një penallti në sekondat e fundit. Fillimisht Sidibe dështoi nga pika e bardhë, por penalltia u përsërit dhe Human nuk gaboi në tentativën e dytë.
Partizani e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 4-t, Fadairo mori topin në mesfushë dhe provoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar sferën në trekëndëshin e portës së Avramit.
Vllaznia reagoi shpejt dhe nisi të ushtrojë presion mbi portën kundërshtare. Në minutën e 21-të, pas një goditjeje nga këndi, topi u përplas me Vatën dhe përfundoi në rrjetën e Partizanit, duke rikthyer baraspeshën.
Shkodranët patën mundësi të kalonin në avantazh, por Qirko mbajti në lojë të kuqtë. Në minutën e 40-të, portieri i Partizanit reagoi mirë ndaj një goditjeje të fortë të Balajt.
Kur pjesa e parë dukej se do të mbyllej në barazim, Partizani goditi sërish. Në minutën e katërt shtesë, Bintsouka nisi një kundërsulm dhe shërbeu për Aliun, i cili u tregua i saktë përballë Avramit dhe riktheu avantazhin e skuadrës së tij.
Partizani shkoi në pushim me rezultatin 1-2.
Në pjesën e dytë, Vllaznia doli më agresive në kërkim të barazimit dhe e gjeti atë në minutën e 57-të. Qirko gaboi në ndërhyrjen e tij, duke grushtuar keq një top në zonë. Sfera përfundoi te Musta, i cili e pati të lehtë ta dërgonte në portën e boshatisur.
Me rezultatin 2-2, ritmi i takimit u rrit ndjeshëm. Të dyja skuadrat krijuan raste, ndërsa Partizani ishte pranë golit të tretë në minutën e 64-t. Aliu u shfaq përballë Avramit dhe tentoi shtyllën e largët, por portieri i Vllaznisë reagoi në kohë.
Vendasit iu afruan golit të fitores në minutën e 79-të. Tounkara gjuajti drejt portës, por Qirko shpëtoi Partizanin. Pak çaste më vonë, Musta tentoi sërish, por Janjeva ndërhyri në momentin e fundit dhe largoi rrezikun.
Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, drama shpërtheu në minutën e parë të shtesës.
Partizani fitoi një penallti dhe Sidibe mori përsipër ekzekutimin. Goditja e tij u prit nga Avrami, por aksioni nuk përfundoi aty. Arbitri Lata vendosi që penalltia të përsëritej, pasi Musta kishte hyrë më herët në zonë.
Në tentativën e dytë, Human mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi. Futbollisti i Partizanit tregoi qetësi dhe mposhti Avramin, duke i dhënë skuadrës së kuqe fitoren 3-2.
Kështu, Partizani largohet nga Shkodra me tri pikë të rëndësishme pas një ndeshjeje spektakolare, ndërsa Vllaznia pëson një humbje të hidhur, pasi arriti të rikthehej dy herë në lojë, por u ndëshkua në sekondat e fundit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






