

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar ndaj bllokimit të pagave të magjistratëve, funksionarëve të organeve të drejtësisë dhe personelit të administratës gjyqësore e prokurorisë.
Në një deklaratë të përbashkët, tre organizatat shprehin shqetësim për mosekzekutimin e pagave dhe kundërshtojnë mënyrën se si institucionet përgjegjëse po e justifikojnë situatën e krijuar.
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme, ndërsa në vendimin nr. 15/2026 kishte parashikuar edhe mekanizmin që do të zbatohej në rast të mosveprimit të Kuvendit.
Pas përfundimit të këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë marrë vendimet përkatëse për konkretizimin e llogaritjes së pagave.
Organizatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve theksojnë se KLGJ dhe KLP nuk kanë marrë kompetencat e Kuvendit për përcaktimin e politikës së pagave, por kanë zbatuar pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të afatit të vendosur për ligjvënësin.
Përplasja për formulën e pagave
Sipas deklaratës, pas bllokimit të pagesave të përllogaritura mbi bazën e formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Financave i ka kërkuar KLGJ-së dhe KLP-së që t’i dërgojnë Drejtorisë së Thesarit urdhërpagesat e llogaritura sipas formulës së mëparshme.
Tre organizatat e konsiderojnë këtë një kontradiktë, pasi, sipas tyre, Ministria e Drejtësisë ka pranuar publikisht se formula e vjetër është shfuqizuar dhe se për plotësimin e situatës së krijuar nevojitet ndërhyrja e Kuvendit.
“Është e nevojshme të sqarohet se mbi çfarë baze ligjore kërkohet nga KLGJ dhe KLP që t’i dërgojnë Drejtorisë së Thesarit urdhërpagesa të llogaritura mbi një formulë që tashmë pranohet se është shfuqizuar”, thuhet në deklaratë.
Sipas organizatave, pas datës 31 korrik 2026 nuk mund të kërkohet zbatimi i formulës së vjetër, ndërkohë që lihet pa u zbatuar mekanizmi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për rastin e mosveprimit të Kuvendit.
“Mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pezullojë vendimin e Kushtetueses”
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve argumentojnë se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret si arsye për pezullimin e efekteve të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tyre, pranimi i një interpretimi të tillë do t’i jepte Kuvendit mundësinë që, përmes mosveprimit, të shtynte një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në një veto faktike ndaj efekteve të një vendimi kushtetues”, theksojnë tre organizatat.
Në deklaratë kundërshtohet gjithashtu përdorimi i nismës së re ligjore të depozituar nga dy deputetë si argument për të justifikuar bllokimin aktual të pagave.
Sipas tyre, ekzekutimi i pagave të magjistratëve nuk mund të mbetet në pritje të miratimit të një ligji të ri, ndërsa ndryshimet ligjore që Kuvendi duhej të miratonte deri më 31 korrik 2026 nuk mund të konsiderohen si kusht për hyrjen në fuqi të efekteve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Në përfundim të deklaratës, tre organizatat kërkojnë:
Ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të magjistratëve, pa i kushtëzuar ato me miratimin e një ligji të ri. Sqarimin nga Ministria e Financave të bazës ligjore mbi të cilën kërkohet zbatimi i formulës së mëparshme. Respektimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimin e mekanizmit të përcaktuar prej saj për periudhën pas 31 korrikut 2026. Ekzekutimin e vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së, për sa kohë ato mbeten akte në fuqi. Garantimin që çdo ndërhyrje e re ligjore nga Kuvendi të mos prodhojë një rezultat më të pafavorshëm se standardi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Tre organizatat e mbyllin deklaratën duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të situatës dhe ekzekutimin e pagave, duke e konsideruar çështjen jo vetëm si një problem financiar, por edhe si një çështje që lidhet me respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






