

HIMARË – Pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu Himarën një ditë më parë, vijon puna në terren për shuarjen përfundimtare të vatrave, pastrimin e zonave të prekura dhe rikthimin gradual të normalitetit.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka publikuar pamje nga zonat e prekura, ku evidentohen dëmet e shkaktuara nga flakët. Pamjet tregojnë pasojat e zjarrit dhe ndërhyrjen e strukturave në terren.
Sipas Tavos, pas një nate të vështirë, ndërhyrja nga ajri ka mundësuar eliminimin e disa vatrave ku aksesi nga toka ishte i pamundur. Ndërkohë, forcat zjarrfikëse kanë vijuar punën edhe gjatë orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të mbetura aktive.
Ekipet zjarrfikëse janë angazhuar gjithashtu për shuarjen e trungjeve të ullinjve që vijonin të digjeshin dhe që përbënin rrezik për riaktivizimin e flakëve.
Paralelisht me operacionin e shuarjes, punonjësit e Bashkisë Himarë kanë nisur ndërhyrjet për largimin e mbetjeve dhe pastrimin e hapësirave të dëmtuara, me synim rikthimin gradual të shërbimeve dhe normalitetit në zonat e prekura.
Në vijimësi po kryhet edhe evidentimi i dëmeve materiale, proces që do të shërbejë për përcaktimin më të plotë të pasojave të shkaktuara nga zjarri.
Tavo ka theksuar se pamjet e lëna pas nga zjarri duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për pasojat që mund të shkaktohen nga zjarret, pavarësisht nëse ato janë aksidentale apo të qëllimshme.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës, ndërsa strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






