Transmetuar më 05-09-2026, 19:34

TIRANË – Nisja e vitit të ri shkollor shoqërohet edhe me një faturë të konsiderueshme për familjet shqiptare. Përgatitjet për ditën e parë, nga veshjet dhe këpucët te çanta, fletoret dhe mjetet shkollore, mund të kushtojnë rreth 97 deri në 115 mijë lekë për një fëmijë.

Me afrimin e fillimit të shkollës, familjet kanë nisur blerjet për pajisjen e fëmijëve me nevojat bazë të vitit të ri shkollor. Një vëzhgim në tregun vendas tregon se edhe një paketë minimale për një nxënës përbën një barrë të ndjeshme për buxhetin familjar.

Vetëm për veshjet, shpenzimet llogariten në rreth 47 deri në 65 mijë lekë. Një palë xhinse kushton mesatarisht 15-25 mijë lekë, ndërsa një bluzë varion nga 12 deri në 15 mijë lekë.

Një tjetër zë i rëndësishëm në faturë janë këpucët sportive. Për një palë atlete, familjet duhet të paguajnë rreth 20 deri në 25 mijë lekë, në varësi të markës dhe cilësisë.

Por shpenzimet rriten edhe më tej kur llogariten pajisjet shkollore. Për çantën, fletoret, mjetet e shkrimit dhe artikujt e tjerë të nevojshëm për shkollën, familjet duhet të parashikojnë të paktën 50 mijë lekë të tjera.

Kështu, duke mbledhur vetëm shpenzimet bazë për veshje, këpucë dhe mjete shkollore, fatura për një fëmijë shkon në 97-115 mijë lekë.

Për familjet me më shumë se një fëmijë në moshë shkollore, kostoja shumëfishohet, duke e kthyer periudhën para nisjes së shkollës në një nga momentet më të kushtueshme të vitit për buxhetin familjar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit