

HIMARË – Bashkia Himarë ka nisur procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarri i fuqishëm që përfshiu zonën gjatë natës, ndërsa strukturat bashkiake vijojnë monitorimin në terren.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka njoftuar ngritjen e një grupi të posaçëm për monitorimin dhe vlerësimin e dëmeve. Grupi po punon për dokumentimin e pasojave të zjarrit dhe identifikimin e problematikave që kërkojnë ndërhyrje.
Bashkia u ka bërë thirrje banorëve të zonave të prekura që të raportojnë çdo nevojë për ndihmë apo ndërhyrje, në mënyrë që problematikat të adresohen sa më shpejt.
Për problematika me furnizimin me ujë, banorët mund të kontaktojnë në numrin 067 520 1417, ndërsa për problematika me energjinë elektrike, është në dispozicion numri i OSHEE-së 069 757 3550.
Për nevoja të tjera për ndihmë apo ndërhyrje nga Bashkia Himarë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat 069 346 5270 dhe 069 463 6213.
Njoftimi i bashkisë vjen pas një nate të vështirë për Himarën, ku zjarri përfshiu zona pranë banesave dhe shkaktoi dëme materiale. Strukturat e emergjencave, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura vijuan operacionet gjatë natës dhe mëngjesit për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Sipas autoriteteve, situata aktualisht paraqitet nën kontroll, ndërsa ekipet në terren vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe punën për vlerësimin e plotë të dëmeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






