

TIRANË – Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka zbardhur arsyetimin e vendimit për lënien në paraburgim, për qëllime ekstradimi, të shtetases turke Julide Yazici.
32-vjeçarja, e njohur për aktivizimin e saj publik kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe prej disa vitesh me status azilanti në Francë, u arrestua më 5 gusht në aeroportin e Rinasit.
Yazici kërkohet nga autoritetet turke, pasi është dënuar me 4 vjet e 2 muaj burg nga dy shkallë të gjyqësorit në Turqi, për veprat penale të “dhënies së ndihmës logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrjes në organizatë terroriste”.
Në qendër të arsyetimit të Apelit qëndron vlerësimi se ekziston rreziku që 32-vjeçarja t’i shmanget procedurës së ekstradimit nëse lirohet nga paraburgimi.
Sipas gjykatës, Yazici ka pasur dijeni për procedimin penal të zhvilluar ndaj saj në Turqi dhe, për këtë arsye, rreziku i largimit lidhet tashmë me shmangien e procedurës së ekstradimit dhe dorëzimin e saj te autoritetet e shtetit kërkues për ekzekutimin e dënimit.
Apeli ka rrëzuar edhe kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e paraburgimit me masën “arrest në shtëpi”. Sipas gjykatës, kjo masë nuk do të ishte e përshtatshme dhe nuk do të garantonte mbikëqyrje efektive ndaj të pandehurës.
Gjatë shqyrtimit në Apel, Yazici ka kundërshtuar mundësinë e ekstradimit drejt Turqisë. Ajo ka pretenduar se, në rast kthimi, do të përballej me persekutim, diskriminim dhe trajtim të padrejtë për shkak të bindjeve të saj politike dhe pjesëmarrjes në protesta kundër qeverisë turke.
32-vjeçarja ka deklaruar gjithashtu se nuk kishte pasur dijeni për vendimin e fajësisë të dhënë nga gjykatat turke.
Çështja vijon tashmë në kuadër të procedurës shqiptare për ekstradimin e saj, ndërsa argumentet e mbrojtjes lidhen me rrezikun që ajo pretendon se i kanoset nëse dorëzohet te autoritetet turke.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






