

GREQI – Një ngjarje tragjike është regjistruar të shtunën pasdite në Greqi, ku një avion luftarak F-4 Phantom është rrëzuar gjatë aktivitetit ajror Athens Flying Week, në zonën e Tanagrës. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy pilotët që ndodheshin në bord.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke fluturuar në lartësi të ulët, përpara se të humbiste gradualisht lartësi dhe të përplasej me tokën.
Sipas raportimeve paraprake, avioni u rrëzua pak pasi kishte nisur demonstrimin e tij, ndërsa aktiviteti ndiqej nga qindra persona. Dy pilotët nuk kanë mundur të aktivizojnë sistemet e katapultimit.
Në vendngjarje u angazhuan 85 zjarrfikës, 23 automjete, dy grupe këmbësorësh të njësive speciale të zjarrfikësve dhe një ekip i EKAM. Për ndërhyrjen nga ajri u mobilizuan gjithashtu 7 avionë dhe 4 helikopterë.
Nga të dhënat paraprake raportohet se avioni është ndarë në dy pjesë, ndërsa zjarri ka shpërthyer në dy pika të ndryshme. Mësohet gjithashtu se avioni është rrëzuar në një zonë pranë një biznesi.
Pas marrjes së informacionit për aksidentin, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ndërpreu programin e tij në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut dhe u nis drejt Athinës. Edhe Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, anuloi një aktivitet të planifikuar në Methoni dhe u kthye në kryeqytet.
F-4 Phantom II F-4 Phantom II është një nga avionët luftarakë më të njohur në historinë e aviacionit. Avioni amerikan, me dy vende dhe dy motorë, është projektuar për një gamë të gjerë misionesh.
Greqia mori avionët e parë Phantom në vitin 1974, në kuadër të programit amerikan Peace Icarus. Një pjesë e tyre u modernizuan më vonë me sisteme të reja elektronike dhe pajisje të avancuara, duke mundësuar që avionët të qëndronin në shërbim për disa dekada.
Varianti grek F-4E Phantom ka një ekuipazh prej dy personash, pilotin dhe oficerin përgjegjës për sistemet e armëve. Avioni mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej rreth 2,370 km/orë dhe një lartësi operative mbi 15 mijë metra.
Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e rrëzimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






