

ELBASAN – Dëgjesat publike për Reformën e re Administrative-Territoriale në Qarkun e Elbasanit janë shoqëruar me pjesëmarrje tepër të ulët të qytetarëve. Takimet e zhvilluara në Belsh, Cërrik dhe Prrenjas janë mbajtur me salla thuajse bosh, pavarësisht njoftimeve dhe thirrjeve të pushtetit vendor për pjesëmarrje.
Propozimi i Partisë Socialiste parashikon riorganizimin e disa njësive vendore. Sipas skemës së propozuar, Bashkitë Belsh dhe Cërrik do të shkrihen dhe do të përfshihen në Bashkinë e Elbasanit, ndërsa Prrenjasi parashikohet të bashkohet me Librazhdin.
Propozimi ka hasur kundërshtime të forta në zonat e prekura dhe është shoqëruar edhe me protesta nga qytetarë dhe përfaqësues vendorë.
Në Belsh ishin planifikuar pesë dëgjesa publike, në qytet dhe në njësitë administrative Kajan, Grekan, Fierzë dhe Rrasë. Megjithatë, pjesëmarrja në këto takime ka qenë minimale.
Edhe në Prrenjas, ku janë zhvilluar dy takime, interesi i qytetarëve ka qenë i ulët. Situata është interpretuar si një tregues i mungesës së përfshirjes së gjerë qytetare në procesin e konsultimit për reformën.
Përballë kësaj situate, Këshilli Bashkiak i Belshit pritet të miratojë një kalendar të ri dëgjesash, me synimin për të rritur pjesëmarrjen dhe për të mbledhur qëndrimet e qytetarëve përpara përcjelljes së qëndrimit zyrtar në Tiranë.
Mbetet për t’u parë nëse takimet e reja do të sjellin një përfshirje më të madhe të komunitetit apo nëse procesi i reformës do të vijojë pavarësisht pjesëmarrjes së ulët në konsultimet e para.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






