Transmetuar më 05-09-2026, 14:50

TIRANË – Policia ka bërë publike detaje të reja nga hetimet për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi, ngjarje për të cilën janë arrestuar Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, 30-vjeçari Jozefin Marku u gjet i fshehur në tualetin e banesës së 31-vjeçarit Kristjan Nikolli. Ky i fundit u arrestua gjithashtu në kuadër të hetimeve për ngjarjen.

Në kërkim janë shpallur Anton Huli, 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç.

Në kuadër të hetimeve, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.

Sipas Policisë, Jozefin Marku dyshohet se ka kryer veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Ndërkohë, Kristjan Nikolli, i cili dyshohet se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover” të përdorur gjatë ngjarjes, akuzohet edhe për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, krahas veprave të tjera për të cilat po hetohet.

Gjatë kontrollit të banesës së Nikollit, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe automjeti tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Nga hetimet paraprake dyshohet se Marku dhe personat e tjerë të përfshirë kanë dhunuar Eduart Kuçin, pasi pretendohet se 26-vjeçari kishte fyer një prej tyre.

Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit