

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet në Serbi dhe marrëdhënien e saj me Bashkimin Europian, duke e lidhur çështjen me idenë e tij për një integrim gradual të vendeve kandidate në strukturat europiane.
Gjatë fjalës së tij, Rama iu referua edhe rastit të Ratko Mlladiçit, të cilin e cilësoi si “kasapin e Ballkanit”, duke kritikuar mundësinë e një përcjelljeje me nderime shtetërore.
“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, u shpreh Rama, duke argumentuar se Serbia duhet të jetë pjesë e tryezës europiane, ku mund t’i kërkohet llogari dhe t’i bëhen të qarta standardet që duhet të përmbushë.
Sipas kryeministrit, izolimi i Serbisë nuk do të ishte zgjidhja e duhur, pasi përfshirja e saj në proceset europiane do t’i mundësonte BE-së të ushtronte ndikim më të drejtpërdrejtë mbi politikat e Beogradit.
“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Europës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?”, deklaroi Rama.
Në këtë kontekst, kryeministri e lidhi rastin e Serbisë me vizionin e tij për zgjerimin e Bashkimit Europian. Sipas tij, vendet kandidate duhet të afrohen gradualisht me strukturat europiane dhe të përfshihen në proceset e vendimmarrjes, ndërsa përmbushin kriteret dhe përballen me kërkesat politike të vendeve anëtare.
“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi kryeministri Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






