Transmetuar më 05-09-2026, 14:30

DURRËS – Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 28 gusht në lagjen nr. 3 të qytetit, ku u konstatua një sasi lënde plasëse e lidhur me një aparat telefonik celular. Në kuadër të operacionit të koduar “Sinjali”, janë arrestuar dy persona, të dy banues në Durrës.

Në pranga kanë rënë shtetasit S. Ç., 47 vjeç, dhe M. T., 46 vjeç, të dyshuar nga policia si autorë të vendosjes së lëndës plasëse.

Sipas policisë, ngjarja u regjistrua më 28 gusht 2026, në lagjen nr. 3, ku u konstatua një aparat telefonik celular i lidhur me një sasi lënde plasëse.

Në vijim të hetimeve, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale tre aparate telefonikë celularë. Pajisjet pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme për të përcaktuar rolin e tyre në ngjarje.

Dy të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e motivit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit