

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur nga Italia thirrjen për një qasje të re të Bashkimit Europian ndaj vendeve kandidate, duke kërkuar një model të integrimit gradual. Gjatë fjalës së tij në Forumin e njohur të Cernobbios, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e tregut të përbashkët dhe e strukturave europiane pa pasur nevojë të presë anëtarësimin e plotë apo të fitojë menjëherë të drejtën e vetos.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër,” u shpreh Rama.
Duke u ndalur te skepticizmi i disa prej kryeqyteteve evropiane përballë zgjerimit të mëtejshëm, Rama u tregua realist sa i përket afateve dhe kompetencave vendimmarrëse, duke theksuar se vetë BE-ja nuk është ende gati të pranojë anëtarë të rinj me të drejtë vetoje.
“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne,” theksoi ndër të tjera kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






