

Policia e Tiranës ka zbardhur zyrtarisht ngjarjen e bujshme të dhunës ndaj ish-banorit të “Big Brother VIP Kosova”, Eduart Kuçi, duke vënë në pranga këngëtarin dhe ish-banorin e BBV Albania, Jozefin Marku, së bashku me një person tjetër, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit të ndërmarrë në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe asaj të Lezhës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin J. M., 30 vjeç (Jozefin Marku), i cili akuzohet për 5 vepra penale: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Po kështu, u ndalua edhe shtetasi K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover” të përdorur në ngjarje. Mbi të rëndojnë një sërë akuzash, duke filluar nga “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, deri te bashkëfajësia në heqjen e lirisë, plagosje dhe kanosje. Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
“Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë,” njofton policia.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi autorët pretendonin se 26-vjeçari Eduart Kuçi kishte fyer një prej tyre në rrjetet sociale. Gjatë kontrolleve në banesën e njërit prej të ndaluarve, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak, si dhe automjetin e përdorur për bllokimin dhe transportimin e dëmtuarit në rrugë.
Grupi hetimor vijon veprimet intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e çdo individi tjetër të përfshirë në këtë akt të dhunshëm. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme penale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






