

Pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të caktuar vetë referencat e reja të pagave, ka reaguar Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ai ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, por sipas tij, situata aktuale ka ardhur si pasojë e një boshllëku ligjor në formulën e pagave që duhet të marrë zgjidhje në Kuvend.
Gogu nënvizoi se paratë e buxhetit të shtetit kërkojnë autorizim të qartë ligjor përpara se të shpërndahen, duke theksuar se Ministria e Financave ndodhet në pamundësi veprimi në mungesë të kësaj baze.
“Paraja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo institucion, por këtu na është krijuar problemi; është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në të cilën ne ndodhemi sot,” u shpreh Gogu.
Ministri shtoi se konflikti nuk ka lindur nga pretendimet për shifra, por nga mungesa e formulës ligjore të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai garantoi se ky problem do të marrë zgjidhje përfundimtare gjatë sesionit të ri parlamentar, duke u bërë thirrje institucioneve që të shmangin përplasjet dhe t’i drejtohen rrugës ligjore në Kuvend.
“Ky boshllëk ligjor do të plotësohet në Kuvend, në sesionin e ri parlamentar. Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, por zgjidhja është në Kuvend, në ditët në vijim. Ky do të jetë drejtimi ynë për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje,” përfundoi ai.
Kujtojmë se konflikti mes magjistratëve dhe qeverisë shpërtheu pasi Kuvendi kaloi afatin e 31 korrikut për të miratuar formulën e re të pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çka shtyu KLGJ-në dhe KLP-në të ndërmerrnin veprime autonome për caktimin e referencave të reja.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






