

Një rrjet i trafikimit të lëndëve narkotike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë është goditur nga Policia e Tiranës, e cila ka vënë në pranga një 20-vjeçar si porositës të lëndës.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Delivery”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e shtetasit D. S., 20 vjeç, banues në Bathore.
I riu dyshohet se kishte porositur nga SHBA-ja një pako postare që përmbante lëndë narkotike të llojit cannabis sativa me përqindje të lartë THC. Gjatë kontrollit dhe sekuestrimit në cilësinë e provës materiale, u konstatua se pakoja ishte e ndarë në 8 paketime të veçanta, me një peshë totale prej 4 kilogramë e 641 gramësh.
Autoritetet policore po vijojnë hetimet intensive për të zbardhur plotësisht këtë aktivitet kriminal dhe për të identifikuar e kapur persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






