

Pas urimit publik që kryeministri Edi Rama i dërgoi homologes italiane Giorgia Meloni për arritjen e rekodit historik të jetëgjatësisë në krye të qeverisë italiane, ka ardhur edhe reagimi i vetë kryeministres së Italisë.
Përmes një mesazhi të përzemërt, Meloni ka falënderuar kreun e qeverisë shqiptare, duke vënë në dukje stilin e tij unik që ndërthur humorin me mesazhe të forta politike.
“Edi, miku im, faleminderit nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta jo fort të rehatshme!”, shkruan Meloni në mesazhin e saj.
Duke u ndalur te ndryshimet e shpeshta politike në Romë ndër vite, kryeministrja italiane u shpreh se stabiliteti është çelësi i suksesit në qeverisje.
“Më vjen mirë të di që, pas kaq shumë ndryshimeve të bashkëbiseduesve në Romë, më në fund ke pasur mundësinë të krijosh pak më shumë afeksion për atë aktualin. Ndërrimi i shpeshtë i stolit nuk ndihmon kurrë për të ndërtuar diçka solide. Por në fund, kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të marrësh rezultate,” thekson ajo.
Në mbyllje të reagimit, Meloni vlerësoi partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe rrugëtimin e përbashkët evropian.
“Gjatë këtyre viteve kemi ndarë një marrëdhënie të sinqertë dhe një bashkëpunim konkret, që ka forcuar gjithnjë e më shumë lidhjen mes dy vendeve tona. Shqipëria është një mike dhe një partnere e çmuar, dhe jam krenare për rrugëtimin që po bëjmë së bashku edhe në kuadër të Evropës. Një përqafim të përzemërt dhe shihemi së shpejti!”, përfundon ajo.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






