Transmetuar më 05-09-2026, 11:04

Një konflikt mes ish-banorëve të formateve “Big Brother” ka kaluar nga rrjetet sociale në përplasje fizike dhe më pas në prangat e policisë. Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Jozefin Marku, është arrestuar ditën e sotme nga autoritetet në zonën e Kombinatit në Tiranë, pasi dyshohet se ka dhunuar në bashkëpunim ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova”, Eduart Kuçi.

Ngjarja ka ndodhur në autostradën pranë Tiranës, ku Kuçi është ndaluar në rrugë nga një grup personash. Në pamjet e bëra publike në rrjetet sociale shfaqet Marku duke e goditur fizikisht Kuçin, ndërsa në vendngjarje shihen edhe persona të tjerë të maskuar, si dhe një person që mban një tabelë “STOP” që ngjan me sinjalistikën e Policisë, rrethana këto që po verifikohen nga grupi hetimor.

Përplasja fizike dyshohet se ka nisur pas debateve dhe përplasjeve verbale në rrjetet sociale mes dy personazheve, pasi Kuçi kishte reaguar publikisht ndaj Markut pas një konflikti të mëparshëm të këtij të fundit me një tjetër personazh. Pas ngjarjes, Eduart Kuçi ka publikuar një fragment të videos në Instagram, duke shkruar: “Pabesia dhe tradhtia kanë rrëzuar edhe mbretër! 15 me 1 në konakun e tyre!”, duke lënë të kuptohet se ka qenë i sulmuar nga një grup i madh personash.

Nga ana e tij, Jozefin Marku kishte mohuar më herët vërtetësinë e ngjarjes, duke pretenduar se pamjet ishin thjesht një skenë e realizuar për argëtim. Megjithatë, situata ka marrë përmasa zyrtare ligjore, ku përveç arrestimit të Markut në Tiranë, Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur gjithashtu një rast penal ndaj tij për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, duke kërkuar marrjen e masave nga autoritetet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit