Transmetuar më 05-09-2026, 09:27

Në vorbullën e një konflikti institucional që ka paralizuar sistemin, Kuvendi i Shqipërisë ka ndërhyrë prerazi për të zgjidhur ngërçin e pagave të magjistratëve. Përmes një shkrese zyrtare të datës 2 shtator 2026, firmosur nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, u është komunuar Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) se është depozituar projektligji i ri i iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për një draft që formalisht është propozuar nga deputetët Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli.

Kjo lëvizje e mazhorancës duket se nxjerr “nul” dhe bën de facto dhe de jure të pazbatueshme, dy vendimet e muajit gusht 2026 të marra nga KLP dhe KLGJ. Në këto vendime ishin caktuar referencat e reja të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Me këtë lëvizje, Qeveria dhe Kuvendi i bëjnë të qartë institucioneve të drejtësisë se ekskluzivitetin e rritjes së pagave të tyre e ka Kuvendi. Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj detyrimit të lënë nga Gjykata Kushtetuese se çështja e pagave duhet të zgjidhej brenda datës 31 korrik 2026.

Por edhe pasi kaloi kjo datë, asgjë nuk ndodhi deri në lëvizjet e fundit.

Sakaq, prej 1 shtatorit 2026, pagat e muajit gusht për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën gjyqësore janë bllokuar në Thesarin e Shtetit nga Ministria e Financave.

Përjashtim nga ky bllokim bëjnë SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilat kanë kaluar pagat me referencat e vjetra.

Sipas projektligjit të Ramës, ndryshimet parashikojnë:

Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të llogaritet duke shumëzuar koeficientin 0.38 me pagën e Presidentit të Republikës, e cila do të indeksohet çdo dy vjet.

Për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, vjetërsia llogaritet në masën 2 përqind për çdo vit përvoje, deri në 25 vjet.

Një shtesë për vështirësi pune prej 80 përqind të pagës bruto fillestare për magjistratët e sistemit të posaçëm (GJKKO, SPAK, Apeli Antikorrupsion), Prokurorin e Përgjithshëm dhe Gjykatën e Lartë.

Një shtesë funksioni prej 5 përqind për Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë që projektligji pritet të kalojë në Komisionin e Ligjeve dhe në seancë plenare gjatë muajve të vjeshtës, Unioni i Gjyqtarëve po përgatit një padi të re për të kundërshtuar këtë ndërhyrje të mazhorancës në Gjykatë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit