

Vatrat e zjarrit në disa zona të Bashkisë Fier vijojnë të paraqesin problematika, ndërsa një prej vatrave aktive është regjistruar në fshatin Frakull, ku flakët kanë përfshirë një masiv me pisha.
Përhapja e flakëve dhe dendësia e tymit e kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse nga toka. Situata paraqitet veçanërisht e vështirë edhe në drejtim të fshatit Peshtan, ku terreni i thyer pengon lëvizjen dhe ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.
Pavarësisht intensitetit të zjarrit, vatra ndodhet larg zonave të banuara dhe deri tani nuk raportohet rrezik për banorët.
Në terren janë angazhuar rreth 90 trupa të Forcave të Armatosura, të ardhura nga repartet e Poshnjës dhe Tiranës, të cilët po punojnë së bashku me strukturat zjarrfikëse për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Operacioni mbështetet nga shtatë mjete zjarrfikëse dhe efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, ndërsa ekipet po ndërhyjnë në disa pika për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Forcat në terren vijojnë monitorimin e situatës dhe përpjekjet për izolimin e vatrave aktive, me prioritet parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara dhe zonave të tjera pyjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






