Transmetuar më 05-09-2026, 08:13

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë gjatë natës territorin e Bashkisë Himarë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe duke vënë në rrezik zonat e banuara. Flakët shpërthyen mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 1, pranë zonës së bypass-it, dhe u përhapën me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë.

Sipas informacionit të Prefekturës dhe strukturave të Mbrojtjes Civile, deri tani raportohet se gjashtë banesa janë djegur plotësisht, tre prej të cilave kanë qenë të banuara dhe tre të pabanuara.

Situata ka shkaktuar panik te banorët, ndërsa disa familje dhe turistë janë detyruar të largohen nga banesat dhe strukturat ku qëndronin, duke u zhvendosur drejt zonave më të sigurta. Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të lënduar.

Flakët vijuan të përhapeshin gjatë natës dhe rreth orës 02:00 një tjetër banesë u përfshi nga zjarri, duke rënduar situatën dhe duke shtuar shqetësimin te banorët e zonës.

Përballë rrezikut të përhapjes së flakëve, kryebashkiaku i Himarës u bëri thirrje urgjente banorëve dhe bizneseve të largohen nga zonat e rrezikuara, duke paralajmëruar për rrezik të mundshëm për jetën.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile kanë vijuar gjatë gjithë natës operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Në terren janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura, së bashku me ekipe zjarrfikëse të ardhura nga disa qytete të vendit.

Me zbardhjen e ditës, është bërë e mundur edhe ndërhyrja nga ajri. Helikopterët kanë nisur hedhjen e ujit mbi vatrat aktive, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të ndihmuar ekipet në terren.

Operatorët turistikë dhe pronarët e bizneseve në zonë kanë përshkruar një natë të vështirë, ndërsa shpejtësia me të cilën u përhap zjarri, e ndihmuar nga era, e bëri të vështirë përballimin e situatës.

Aktualisht, situata mbetet problematike, ndërsa forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen për izolimin e plotë të zjarrit, mbrojtjen e banesave dhe garantimin e sigurisë së banorëve dhe turistëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit