Transmetuar më 05-09-2026, 08:04

Paris Saint-Germain vazhdon krizën e rezultateve në Ligue 1, pasi u mposht 1-2 nga Monaco në “Parc des Princes”. Kjo ishte ndeshja e katërt radhazi pa fitore për kampionët francezë, të cilët vijojnë të kërkojnë suksesin e parë ndaj një skuadre franceze këtë sezon.

PSG e nisi takimin mirë dhe kaloi në avantazh në minutën e 31-të. Pas një goditjeje dënimi, krosimi i Khvicha Kvaratskhelias u shfrytëzua nga Marquinhos, i cili me gjoks e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Vendasit patën mundësi për të dyfishuar rezultatin, ndërsa portieri i Monacos, Lukas Hradecky, u bë protagonist me disa ndërhyrje vendimtare ndaj Kvaratskhelias dhe Fabián Ruiz.

Monaco arriti të barazojë në minutën e 58-të. Pas një krosimi të Golovin, mbrojtja e PSG-së gaboi në pozicionim dhe Théo Teze gjeti Nazinhon në shtyllën e largët. Sulmuesi realizoi me kokë, duke rikthyer ekuilibrin në 1-1.

PSG reagoi menjëherë në kërkim të golit të dytë, por Hradecky vazhdoi të mbante portën e Monacos të paprekur. Në minutën e 72-të, miqtë goditën sërish. Idumbo fitoi duelin me Marquinhos dhe mposhti Matvey Safonov, duke e çuar rezultatin në 1-2.

Parisienët tentuan deri në fund të shmangnin humbjen, por Monaco u mbrojt me disiplinë dhe efektivitet. Një gol i Ferran Torres u anulua për pozicion jashtë loje në minutën e 84-t, ndërsa në minutat shtesë Ousmane Dembélé pati një mundësi të artë, por Hradecky reagoi me një pritje vendimtare.

Monaco ishte veçanërisht efikase në këtë përballje, duke shënuar dy gola nga vetëm dy gjuajtje në portë.

Humbja e thellon krizën e PSG-së, që ende nuk ka arritur të mposhtë një ekip francez në katër përballjet e para të sezonit. Skuadra e Luis Enriques ka humbur 0-1 ndaj Lens në “Trophée des Champions”, ndërsa ka barazuar 2-2 me Rennes dhe ka pësuar tashmë dy humbje radhazi në Ligue 1.

Në krahun tjetër, Monaco ruan startin perfekt në kampionat. Me tri fitore në tri ndeshje, skuadra e drejtuar nga Filipe Luis kryeson e vetme Ligue 1 dhe konfirmohet si një prej skuadrave më në formë të fillimit të sezonit.

PSG tani duhet të reagojë shpejt, pasi vetëm pak ditë e ndajnë nga debutimi në Ligën e Kampionëve kundër Slovan Bratislavës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit