Transmetuar më 05-09-2026, 08:01

Real Madridi pësoi humbjen e parë të sezonit në La Liga, pasi u mposht 1-0 nga Real Betis në ndeshjen hapëse të javës së katërt. Skuadra e José Mourinhos kontrolloi pjesën më të madhe të takimit dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por Betisi arriti të shfrytëzojë një prej mundësive të tij dhe të marrë tri pikët.

Golin e fitores për skuadrën andaluziane e shënoi sulmuesi irlandez Troy Parrott në minutën e 81-të. Ai reagoi shpejt pas një topi të rikthyer në zonë, ndërsa Thibaut Courtois kishte ndërhyrë pak më herët për të shmangur rrezikun pranë vijës së portës.

Real Madridi pati disa mundësi të arta gjatë ndeshjes. Vinicius Junior goditi shtyllën në minutën e 15-të, ndërsa Dean Huijsen dhe Kylian Mbappé goditën traversën respektivisht në fundin e pjesës së parë dhe në minutën e 85-të.

Në minutën e 87-të, Carlos Espí shënoi me një goditje spektakolare akrobatike, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Rasti më i madh për barazimin erdhi në kohën shtesë. Në minutën e 90’+4, Real Madridi fitoi një penallti dhe përgjegjësinë për ekzekutimin e saj e mori Kylian Mbappé. Sulmuesi francez nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke humbur mundësinë për të barazuar rezultatin.

Mbappé ishte ndër lojtarët më aktivë të Real Madridit gjatë takimit dhe krijoi vazhdimisht probleme për mbrojtjen e Betisit. Në minutën e 43-të, francezi pati një tjetër mundësi të dyfishtë, por dy goditjet e tij u bllokuan nga mbrojtësit Natan dhe Marc Bartra.

Betisi u mbështet te organizimi në mbrojtje dhe rezistoi përballë presionit të vazhdueshëm të madrilenëve. Në krahun tjetër, vendasit patën edhe disa momente të rrezikshme, përfshirë një aksion mes Antony dhe Cucho Hernández në minutën e 21-të.

Real Madridi pati gjithashtu pretendime për një tjetër moment të diskutueshëm në minutën e 53-të, kur Arda Güler kreu një faull që mund t’i kishte sjellë kartonin e dytë të verdhë.

Me këtë rezultat, Real Madridi pëson humbjen e parë të sezonit pas tri ndeshjeve të para pa humbje, ndërsa Betisi merr një fitore me peshë përballë një prej pretendentëve kryesorë të kampionatit.

Barcelona do të zbresë në fushë të dielën ndaj Valencias, në orën 16:15, me synimin për të regjistruar fitoren e katërt dhe për të përfituar nga hapi i gabuar i rivalit madrilen.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit