

Një zjarr masiv përfshiu mbrëmjen e së shtunës kodrat mbi qytetin e Himarës, duke u përhapur me shpejtësi drejt zonave të banuara. Flakët, që nisën mbi lagjen “1 Maji”, zbritën drejt pjesës së poshtme të qytetit, ku raportohet se u dogjën shtatë banesa.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut për banorët e turistët, Bashkia Himarë urdhëroi evakuimin e zonave të prekura. Forca të shumta të Policisë së Shtetit u angazhuan në terren për largimin e banorëve dhe turistëve, të cilët u orientuan drejt vijës bregdetare, në zona më të sigurta.
Në operacionin për përballimin e situatës u angazhuan zjarrfikës, forca të emergjencave civile, efektivë të Policisë së Shtetit dhe trupa të ushtrisë, ndërsa në ndihmë shkuan edhe forca vullnetare.
Për shkak se zjarri shpërtheu gjatë natës, ndërhyrja nga ajri nuk ishte e mundur. Helikopterët dhe mjetet ajrore zjarrfikëse nuk mund të kryejnë operacione të tilla gjatë orëve të natës për shkak të kufizimeve të sigurisë dhe mungesës së pilotëve të specializuar për operacione të natës.
Në terren u angazhuan mjete zjarrfikëse dhe efektivë nga Fieri, Tirana, Peqini, Librazhdi, Tepelena, Himara, Vlora, Finiqi, Delvina, Saranda, Gjirokastra dhe Dropulli, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, qoftë banorë, turistë apo pjesëtarë të forcave të angazhuara në operacion.
Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar shkaku i rënies së zjarrit. Autoritetet vijojnë ndërhyrjen për vënien nën kontroll të vatrave, ndërsa me nisjen e ditës është aktivizuar edhe ndërhyrja nga ajri me helikopterë.
Situata në Himarë mbetet nën monitorim, ndërsa prioriteti i autoriteteve është izolimi i plotë i zjarrit dhe garantimi i sigurisë së banorëve dhe turistëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






