Transmetuar më 05-09-2026, 07:46

Numri i shtetasve të huaj të punësuar në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, ndërsa emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore vendase po i shtyjnë bizneset të mbështeten gjithnjë e më shumë te rekrutimi nga jashtë. Deri në fund të qershorit 2026, në vend rezultonin të punësuar rreth 22.6 mijë shtetas të huaj, nga 18.1 mijë në dhjetor 2025, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt, të bëra publike nga Policia e Shtetit.

Rreth 90% e tyre, ose 20.3 mijë persona, janë të pajisur me leje unike për punëmarrës, ndërsa 2,361 shtetas të huaj janë të regjistruar si të vetëpunësuar. Filipinasit, indianët dhe egjiptianët kryesojnë listën e punonjësve të huaj në Shqipëri.

Në qershor 2026, numri i filipinasve me leje pune arriti në 3,552, i ndjekur nga indianët me 3,423 dhe egjiptianët me 3,283. Më pas renditen shtetasit e Turqisë me 1,503 leje dhe ata të Italisë me 1,306.

Punësimi i shtetasve të huaj është zgjeruar në disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht në bare, restorante, industri, transport, bujqësi dhe agroturizëm. Në rritje është edhe punësimi i shtetasve filipinas në familje, kryesisht për kujdesin ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe mirëmbajtjen e banesave.

Një shembull i kësaj tendence është kompania “Ital Construzioni”, ku janë të punësuar 54 shtetas të huaj nga India dhe Bangladeshi, rreth 45% e fuqisë punëtore të kompanisë. Sipas drejtuesve, rekrutimi nga jashtë është kthyer në një zgjidhje për mungesën e punonjësve vendas, veçanërisht për pozicionet teknike dhe profesionale.

Dy inxhinierë indianë të punësuar në kompani, Mayur Prajapati dhe Irfan Ansari, shprehen se Shqipëria u ka ofruar mundësi më të mira ekonomike dhe profesionale. Sipas tyre, pagat janë rreth 30–50% më të larta se në Indi, ndërsa kompania u siguron edhe akomodim, ushqim, transport dhe sigurim shëndetësor privat.

Drejtuesja e kompanisë, Ornela Haxhiri, e lidh rritjen e punësimit të të huajve me emigracionin e të rinjve shqiptarë dhe mungesën e punonjësve me arsim profesional. Sipas saj, krahas investimeve në teknologji, kompanitë duhet të investojnë në kualifikimin e kapitalit njerëzor për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregjet europiane.

Punonjësit e huaj përbëjnë 3.1% të të punësuarve Pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të tyre, shtetasit e huaj përbëjnë ende një pjesë të kufizuar të tregut shqiptar të punës. Në vitin 2025, ata përbënin 3.1% të totalit të të punësuarve, nga 2.2% në vitin 2024.

Tendenca e rritjes është bërë më e dukshme pas vitit 2021. Në vitin 2023 u miratuan 8,305 leje pune për shtetas të huaj, rreth 65% më shumë se një vit më parë. Në vitin 2025, numri i shtetasve të huaj të punësuar u rrit me 43.4% krahasuar me vitin 2024.

Eksperti i rekrutimit Erald Pashaj, drejtor ekzekutiv i EPPC Albania & Kosovo, vlerëson se pesha e punonjësve të huaj në tregun shqiptar mbetet ende e ulët, por pritet të rritet nëse ekonomia vijon të zgjerohet me ritme të larta.

Sipas tij, në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore vendase, punësimi i të huajve po kalon gradualisht nga një zgjidhje e përkohshme në një nevojë të qëndrueshme për bizneset. Ai parashikon rritje të mëtejshme të rekrutimeve nga vende si Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet.

Bare dhe restorante, ndër sektorët më të prekur Mungesa e fuqisë punëtore është veçanërisht e dukshme në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Sipas INSTAT, në vitin 2024 në këta sektorë ishin të punësuar rreth 56 mijë persona.

Në shërbimin ushqimor, ku përfshihen baret dhe restorantet, numri i të punësuarve ishte 42,121 persona, rreth 2% më pak se një vit më parë. Në sektorin e akomodimit ishin të punësuar 13,950 persona, me një rritje prej 2%.

Bizneset e këtij sektori po përdorin gjithnjë e më shumë punonjës nga Filipinet, India, Nigeria dhe vende të tjera për pozicione si kamarierë, kuzhinierë, ndihmës kuzhinierë, recepsionistë dhe punonjës mirëmbajtjeje.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, e konsideron punësimin e të huajve një domosdoshmëri për shkak të mungesës së stafit vendas. Sipas tij, kostot e punësimit nuk janë domosdoshmërisht më të ulëta, pasi punonjësit e huaj shpesh kërkojnë trajnim dhe mbështetje për akomodim e ushqim.

Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit Ekspertët vlerësojnë se, pavarësisht rritjes së numrit të punonjësve të huaj, Shqipëria ende nuk është një destinacion konkurrues për fuqinë punëtore ndërkombëtare në raport me disa vende të rajonit.

Pagat mesatare për punonjësit e huaj në Shqipëri vlerësohen rreth 550–630 euro në muaj, ndërsa në disa tregje rajonale ato janë më të larta. Kjo bën që punonjësit më të kualifikuar nga vendet aziatike të orientohen fillimisht drejt ekonomive që ofrojnë paga dhe kushte më të favorshme.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës dhe të Italisë ndjekin procedura të ndryshme nga shtetasit e vendeve të treta. Shtetasit e Kosovës mund të përfitojnë leje qëndrimi biometrike pesëvjeçare që shërben edhe si leje pune, ndërsa shtetasit italianë, si qytetarë të Bashkimit Europian, kanë të drejtë punësimi në Shqipëri pa procedurën e miratimit të punësimit nga AKPA.

Të dhënat tregojnë se tregu shqiptar i punës po përballet me një ndryshim gradual të strukturës së tij. Emigracioni i fuqisë punëtore vendase, veçanërisht i të rinjve, po krijon boshllëqe që bizneset po përpiqen t’i plotësojnë përmes rekrutimit të shtetasve të huaj, një prirje që ekspertët presin të forcohet në vitet e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit