

Më 5 shtator, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të Shën Terezës së Kalkutës, murgeshës shqiptare që ia kushtoi jetën shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18-vjeçare u largua nga Shkupi për t’iu bashkuar Motrave të Loretos në Irlandë. Më pas, misioni i saj e çoi në Kalkutë, Indi, ku nisi veprimtarinë e saj të përkushtuar ndaj njerëzve më të varfër dhe atyre në fund të jetës.
Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, ndërsa më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku në Vatikan.
“Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi jam indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Zanati im është që t’i përkas botës. Ndërsa zemra ime i takon e tëra Zemrës së Jezusit”, është një prej shprehjeve më të njohura të Shën Terezës.
Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989, duke u rikthyer në vendin e origjinës së saj pas dekadash.
Shën Tereza njihet edhe për dy raste shërimi që Kisha Katolike i ka konsideruar mrekulli dhe që u morën në shqyrtim gjatë procesit të shenjtërimit. Rasti i parë lidhet me Monica Besrën në Indi, e cila vuante nga një tumor në bark dhe që, sipas dëshmisë së saj dhe dokumentacionit të shqyrtuar nga autoritetet kishtare, u shërua pas lutjeve drejtuar Nënë Terezës.
Rasti i dytë lidhet me brazilianin Marcilio Andrino, i cili në vitin 2008 vuante nga një infeksion në tru dhe absese të shumta. Sipas dëshmive të familjarëve dhe dokumentacionit të procesit të kanonizimit, gjendja e tij u përmirësua në mënyrë të papritur pas lutjeve dhe përdorimit të një relike të Nënë Terezës.
Në Shqipëri, 5 shtatori është festë zyrtare, si Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Data zëvendësoi 19 shtatorin, që më parë shënohej si Dita e Lumturimit të Nënë Terezës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






