

BERLIN – Volkswagen po përgatitet për një tjetër valë të gjerë shkurtimeve të vendeve të punës, në kuadër të një plani për uljen e kostove dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë. Sipas Reuters, grupi gjerman mund të eliminojë rreth 50 mijë vende pune në vitet e ardhshme, duke iu shtuar planit ekzistues për shkurtimin e një numri të ngjashëm vendesh deri në vitin 2030.
Nëse plani zbatohet plotësisht, numri i vendeve të punës që mund të eliminohen arrin në rreth 100 mijë. Megjithatë, kompania nuk ka përcaktuar ende numrin përfundimtar, shpërndarjen apo afatet e shkurtimeve të reja.
Volkswagen po përballet me rritjen e kostove, konkurrencën gjithnjë e më të fortë nga prodhuesit kinezë, veçanërisht në tregun kinez, si dhe me kapacitete të tepërta në fabrikat europiane.
Në kuadër të ristrukturimit, grupi ka vendosur gjithashtu të tërhiqet gradualisht nga marka Seat, e cila pritet të mbyllet deri në vitin 2029. Në vend të saj, Volkswagen synon të zgjerojë fokusin te marka Cupra, e cila ka kaluar Seat për nga shitjet.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, Cupra ka shitur rreth 170.100 automjete, ndërsa Seat rreth 129.600.
Volkswagen synon gjithashtu të ulë prodhimin në Europë me rreth 500 mijë automjete. Në rrezik për një reduktim të mëtejshëm të kapaciteteve janë edhe fabrikat në Emden, Zwickau, Hannover dhe Neckarsulm, të cilat mund të mbyllen në periudhën 2031-2034 nëse nuk realizohen kursime të konsiderueshme deri në vitin 2027.
Kompania parashikon të shesë rreth 9 milionë automjete në vitin 2030, krahasuar me rreth 11 milionë të shitura në vitin 2019.
Marrëveshja për planin e ristrukturimit u arrit pas negociatave mes drejtuesve të Volkswagen, sindikatës IG Metall dhe landit të Saksonisë së Poshtme, duke shmangur për momentin një përplasje më të gjerë mes drejtuesve dhe aksionarëve të kompanisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






