Transmetuar më 04-09-2026, 23:20

ROMË – Qeveria e Giorgia Melonit ka shënuar një rekord historik në Itali, duke u bërë kabineti më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Qeveria ka arritur në 1,413 ditë në pushtet, duke kaluar me një ditë rekordin e vendosur më parë nga qeveria e dytë e Silvio Berlusconit.

Pavarësisht këtij rekordi, një sondazh i YouTrend për Sky TG24 tregon se një pjesë e konsiderueshme e italianëve janë kritikë ndaj drejtimit të vendit. Sipas sondazhit, 53% e të pyeturve besojnë se Italia po shkon në drejtimin e gabuar, ndërsa vetëm 31% mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur. 16% janë të pavendosur.

Më kritikët rezultojnë të rinjtë e moshës 18 deri në 34 vjeç, ku 60% vlerësojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Në grupmoshën 50-64 vjeç, kjo përqindje zbret në 44%.

Edhe vlerësimi për punën e qeverisë tregon një tablo të ndarë. 39% e italianëve deklarojnë se performanca e kabinetit Meloni ka qenë më e dobët nga sa prisnin, ndërsa 26% thonë se ka qenë në përputhje me pritshmëritë dhe vetëm 11% e konsiderojnë më të mirë. Ndërkohë, 17% shprehen se nuk kishin pritshmëri të veçanta dhe 7% nuk kanë dhënë përgjigje.

Në matjen e fundit të mbështetjes politike, Fratelli d’Italia mbetet forca kryesore me 26.5%, e ndjekur nga Partia Demokratike me 22.2%. Lëvizja Pesë Yje regjistron rritjen më të ndjeshme, duke arritur në 12.6%.

Sa i përket rekordit të jetëgjatësisë së qeverisë, 59% e italianëve mendojnë se kohëzgjatja e një kabineti nuk është në vetvete tregues pozitiv dhe se rëndësi kanë rezultatet e arritura. Në të kundërt, 30% e konsiderojnë pozitive qëndrueshmërinë e një qeverie për një periudhë kaq të gjatë, ndërsa 11% janë të pavendosur.

Meloni e ka komentuar arritjen përmes rrjeteve sociale, duke shprehur mirënjohje për këtë moment, por edhe përgjegjësi për vijimin e mandatit të qeverisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit