

Levan, Fier — Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Levanit në Fier mbrëmjen e së premtes, duke shkaktuar panik te banorët dhe duke rrezikuar banesat pranë vatrave të flakëve.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit në sipërfaqe të konsiderueshme toke, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe zona me ullinj. Një pjesë e banorëve janë detyruar të largohen nga banesat, duke marrë me vete sendet personale.
Situata është shoqëruar me dendësi të lartë tymi në zonë. Sipas raportimeve paraprake, tre persona kanë shfaqur shenja asfiksie, ndërsa ambulanca ka mbërritur në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e nevojshme.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e policisë, të angazhuara për përballimin e situatës dhe izolimin e vatrave të zjarrit.
Banorët kanë dalë në rrugë të alarmuar, ndërsa disa prej tyre kanë kundërshtuar largimin, duke tentuar të mbrojnë banesat e tyre nga përparimi i flakëve.
Deri në këto momente, zjarri vijon të paraqesë rrezik për zonën e banuar. Përmasat e plota të dëmeve materiale dhe shkaku i rënies së zjarrit mbeten ende për t’u përcaktuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






