

Një 53-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga policia italiane në Napoli, pasi dyshohet se merrej me shpërndarjen e kokainës në zonën e Porta Nolana. Gjatë kontrollit, policia i gjeti 34 doza kokainë dhe 120 euro.
Arrestimi u krye nga efektivët e komisariatit Vicaria-Mercato, gjatë kontrolleve të intensifikuara në territor. Sipas autoriteteve, policia e kishte vënë në vëzhgim 53-vjeçarin pasi e kishte parë duke i dorëzuar një dozë të dyshuar lënde narkotike një personi në zonën e Vico Gabella della Farina.
Sipas raportimeve të mediave italiane, sapo ka konstatuar praninë e policisë, 53-vjeçari ka tentuar të largohet me biçikletë nëpër rrugët e zonës.
Efektivët e kanë ndjekur dhe kanë mundur ta ndalojnë pak më vonë në Via Nolana. Sipas policisë, gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka hedhur biçikletën në drejtim të efektivëve dhe ka kundërshtuar arrestimin, duke i goditur me grushte dhe shqelma.
Sekuestrohen 34 doza kokainë
Gjatë kontrollit personal, policia ka gjetur dhe sekuestruar 34 doza kokainë, me peshë totale rreth 6 gramë, si dhe 120 euro, të ndara në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.
Sipas autoriteteve, 53-vjeçari ishte i njohur më herët për policinë.
Ai akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik.
Pas arrestimit, shqiptari është dërguar në burgun e Poggioreale, ku do të qëndrojë në pritje të seancës gjyqësore për vleftësimin e masës së arrestit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






