Transmetuar më 04-09-2026, 17:35

Ish-banori i “Big Brother VIP Albania” dyshohet për “Lëndim të lehtë trupor”. Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Policinë e Kosovës për përfshirjen e tij në listën kufitare dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur një procedim penal ndaj Jozef Markut, ish-banor i “Big Brother VIP Albania”, lidhur me incidentin e dhunshëm ndaj shtetasit kosovar Edi Kuçi.

Rasti është hapur pas publikimit të pamjeve të plota të përleshjes fizike në rrjetet sociale. Prokuroria ka bërë të ditur se procedimi është iniciuar me vetënisiciativë nga prokurori kujdestar.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili deklaroi se ndaj Jozef Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë, është hapur rast penal për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, që dyshohet se i është shkaktuar shtetasit të Kosovës, E.K.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, deklaroi Nikçi.

Joz Marku përfshihet në “stop-listë”

Në kuadër të procedurës, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për regjistrimin e rastit dhe përfshirjen e të dyshuarit në listën kufitare për kontroll të veçantë.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Autoritetet kosovare pritet të vijojnë me veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të incidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë në bazë të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dispozitë që, sipas autoriteteve, parashikon zbatimin e ligjit edhe ndaj shtetasve të huaj në raste të caktuara kur një vepër penale kryhet jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendimi përfundimtar gjyqësor, Jozef Marku prezumohet i pafajshëm.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit