Transmetuar më 04-09-2026, 16:36

Kryeministri Edi Rama reagoi pas konfliktit mes dy biznesmenëve në Vlorë dhe njoftoi shpronësimin për interes publik të zonës ku ndodhi përplasja. Rama tha se hapësira do të kthehet në një aset publik dhe turistik.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me përplasjen e armatosur mes dy biznesmenëve në Vlorë, duke njoftuar një vendim për ndryshimin e destinacionit të zonës ku ndodhi konflikti.

Rama tha se, pas një analize të hartës pronësore të zonës, qeveria ka vendosur që hapësira të shpronësohet për interes publik dhe të kthehet në një aset publik e turistik.

“Historia e djeshme e konfliktit banal mes dy ndërtuesve në Vlorë, nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore në fjalë, na ka bindur që jo vetëm duhet t’i japim fund asaj historie, por dhe duhet t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike”, deklaroi Rama.

Kryeministri e cilësoi konfliktin si një rast që dëmton imazhin e turizmit shqiptar dhe theksoi se personat që operojnë në këtë sektor duhet të respektojnë hapësirat e përbashkëta dhe të kontribuojnë në një klimë të përshtatshme për turistët dhe qytetarët.

“Banaliteti dhe brutaliteti duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e misionit kombëtar”, u shpreh Rama, duke shtuar se sjelljet që cenojnë klientët, hapësirat e përbashkëta dhe qetësinë publike duhet të trajtohen si një “vijë e kuqe” për Shqipërinë turistike.

Rama: Do të krijohet një park i ullirit

Sipas kryeministrit, zona do të shpronësohet për interes publik dhe do të transformohet në një hapësirë me funksion publik dhe turistik.

“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonë të atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në aset publik e turistik për të gjithë”, deklaroi Rama.

Ai bëri të ditur se synimi është krijimi i një parku të ullirit, ku do të mbillen dhe ruhen varietete autoktone shqiptare dhe mesdhetare, ndërsa do të prezantohen edhe vajrat e ullirit të prodhuar në Shqipëri.

Sipas Ramës, projekti do të shërbejë edhe si hapësirë informimi, edukimi dhe turizmi të eksperiencës.

Kryeministri e përshkroi zonën si një hapësirë që duhet të shndërrohet nga simbol i konfliktit mes dy investitorëve në një hapësirë publike të përbashkët.

“Një hapësirë që do t’i bashkojë të gjithë, një territor paqeje nën hijen e Pemës së Paqes, pemës së ullirit”, përfundoi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit