Transmetuar më 04-09-2026, 15:44

Protestuesit ishin arrestuar pas protestës pranë Kryeministrisë, nën akuzat për grumbullim të paligjshëm, kundërshtim të punonjësit të Policisë, prishje të qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë 14 protestuesit e arrestuar mbrëmjen e 1 shtatorit, pas protestës pranë godinës së Kryeministrisë.

Protestuesit ishin arrestuar nga Policia nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë seancës gjyqësore, të arrestuarit kërkuan që arrestimi i tyre të shpallej i paligjshëm dhe të liroheshin pa caktimin e ndonjë mase sigurie. Ata mohuan të kenë kryer vepra penale.

Gjykata ka pranuar kërkesën e tyre, duke vendosur lirimin nga qelia.

Pas vendimit, avokatja Eda Grimci deklaroi se raste të tilla, sipas saj, janë konstatuar edhe më herët nga gjykatat.

“Nuk është hera e parë që Gjykata e Apelit konstaton arrestime të paligjshme. Dy raste prej meje do bëjmë kallëzim penal”, u shpreh Grimci.

Vendimi i gjykatës vjen pas debatit mbi mënyrën e ndërhyrjes së Policisë dhe ligjshmërinë e arrestimeve të kryera gjatë protestës së 1 shtatorit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit