

Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Shtetit reagojnë nga Kukësi për ngjarjen në Vlorë. Lamallari: Ka persona të arrestuar dhe të tjerë në kërkim. Hetimet vijojnë.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë reaguar nga Kukësi lidhur me ngjarjen e fundit të regjistruar në Vlorë, ku një biznesmen dyshohet se është kërcënuar.
Lamallari vlerësoi reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit pas ngjarjes, ndërsa bëri me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
“Pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, ajo çfarë do të thoja me bindje është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore”, deklaroi ministri.
Lamallari konfirmoi se në lidhje me ngjarjen ka persona të arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do gjenden dhe do të vihen para drejtësisë”, u shpreh ai.
Autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






