Transmetuar më 04-09-2026, 15:40

Braçanj dhe Dobranj janë ndër zonat më të prekura. Rreth 40 hektarë tokë bujqësore janë evidentuar deri tani si të dëmtuara, ndërsa vetëm në Dobranj dëmi në parcelat me fasule vlerësohet deri në 60%.

Një ditë pas stuhisë së breshërit, dëmet në tokat bujqësore të Braçanjit dhe Dobranjit në Devoll janë bërë të dukshme. Parcela të tëra me kultura bujqësore janë dëmtuar, ndërsa fermerët deklarojnë se në disa raste kanë humbur deri në 70% të prodhimit.

Kultura më e prekur është fasulja, e cila ndodhej në fazën e pjekjes dhe pritej të korrej së shpejti. Breshëri ka dëmtuar gjithashtu qepët, domatet, specat, mollët, dardhat dhe kultura të tjera bujqësore.

Fermerët tregojnë se stuhia zgjati vetëm pak minuta, por ishte e mjaftueshme për të dëmtuar punën e disa muajve. Përveç humbjeve të shkaktuara, shqetësimi i tyre lidhet edhe me prodhimin që ka mbetur në parcela dhe mundësinë e dëmtimit të mëtejshëm.

Sipas fermerëve, kjo është stuhia e dytë me breshër që godet zonën brenda pak javësh. Ata thonë se një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe rreth një muaj më parë dhe kërkojnë mbështetje nga institucionet për përballimin e dëmeve.

Kryeplaku i Dobranjit, Petrika Zyfi, deklaron se rreth 50 fermerë janë prekur nga breshëri, ndërsa fasulja është kultura që ka pësuar dëmet më të mëdha.

Ndërkohë, Bashkia Devoll ka nisur verifikimet në terren për të evidentuar sipërfaqet e prekura dhe nivelin e dëmit.

Deri tani janë evidentuar rreth 40 hektarë tokë bujqësore të dëmtuar, me një nivel mesatar dëmi prej rreth 40%. Vetëm në Dobranj janë konstatuar rreth 30 hektarë me fasule, ku dëmi paraprak vlerësohet nga 50% deri në 60%.

Inspektimet në terren do të vijojnë gjatë tre ditëve të ardhshme, me qëllim përcaktimin më të saktë të sipërfaqeve të dëmtuara dhe përllogaritjen e nivelit të humbjeve të shkaktuara nga stuhia e breshërit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit