Transmetuar më 04-09-2026, 13:55

Një konflikt institucional mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit ka shpërthyer këtë të premte, pas bllokimit të pagave të muajit gusht për magjistratët. Situata ka arritur në një pikë kulmore, pasi institucionet e drejtësisë i kanë lënë afat Ministrisë së Financave deri në orën 16:00 për ekzekutimin e fondeve, në të kundërt paralajmërojnë padi penale.

Përplasja nisi pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) miratuan pagat referuese bazë në fund të muajit gusht, me zbatim nga 1 gushti 2026. Megjithatë, Thesari nuk ka kaluar pagesat, duke krijuar një ngërç financiar në të gjithë sistemin.

Sipas gazetarit Arsen Rusta, situata është përshkallëzuar në rang rrethesh ku prokurori të ndryshme, si ajo e Fierit dhe e Elbasanit, i janë drejtuar zyrtarisht Thesarit. Ato kanë paralajmëruar se çdo vonesë përbën konsumim të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës". Ndërkohë, nga verifikimet rezulton se institucionet e akuzës kanë fonde të mjaftueshme vetëm për pagat e muajve gusht dhe shtator.

Nga ana e tij, Ministri i Financave ka sqaruar përmes një letre dërguar KLGJ-së dhe KLP-së se pagesat nuk janë ndaluar, por problematika qëndron te metodologjia e përllogaritjes së paraqitur nga Këshilli. Ministria kërkon që dokumentacioni të rifshihet sipas skemës së përdorur deri në muajin korrik, duke premtuar se diferencat do të mbulohen sapo parlamenti të miratojë ndryshimet përkatëse.

Pavarësisht këtij sqarimi, sistemi i drejtësisë mbetet i palëkundur në kërkesën e tij për ekzekutimin e plotë të pagave brenda afatit të pasditës së sotme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit