

Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi me armë zjarri i Viktor Bardhit në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ngjarje e cila ka vënë në lëvizje strukturat e policisë dhe prokurorisë.
Hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e autorëve para dhe pas krimit, ndërsa pista kryesore e hetimit mbetet ajo e gjakmarrjes.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes duke përdorur një nënkalim të "Rrugës së Kombit".
Për të humbur gjurmët, ata kanë djegur mjetin e tyre rreth 20 minuta pas krimit në fshatin Monaz, ndërsa dyshohet se më pas kanë kaluar në një tjetër automjet për t’iu shmangur kamerave të sigurisë dhe kontrolleve të policisë.
Autorët dyshohet të jenë ndihmuar nga të tjera persona që i kanë pritur me automjet për të humbur gjurmët nga policia.
Nga verifikimet e deritanishme në hyrje-daljet e Rrëshenit, mjeti i parë i përdorur nuk është identifikuar ende.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit, nuk është evidentuar asnjë gjurmë e automjetit të autorëve, i cili u gjet i djegur rreth 20 minuta pas ngjarjes në fshatin Monaz.
Kjo ngjarje tragjike shtohet në sagën e një konflikti të përgjakshëm që daton prej vitit 2016 mes familjes Bardhi dhe një fisi tjetër në zonë, konflikt i cili numërojë disa viktima ndër vite.
Dyshimet janë se Viktor Bardhi është viktima e radhës e sagës së hakmarrjeve mes fisit Bardhi dhe një tjetër fisi në zonë. Zanafilla nis që prej vitit 2016 me vrasjen e Saimir Jakut. Pas tij janë ekzekutuar nëntë persona të tjerë nga të dy palët. Viktor Bardhi iu ekzekutua vëllai Martin Bardhi në vitin 2023 në lokalin e tij në Mirditë, një muaj pasi kishte dalë nga burgu. Martin Bardhi akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë ndaj S. R.
Vetë Viktor Bardhi i shtohet listës tragjike të familjes, ku më herët janë vrarë edhe vëllai i tij, Martin Bardhi, në vitin 2023, si dhe nipi i tij, Kristian Bardhi, në janar të vitit 2025 – ngjarje këto ende të pazbardhura plotësisht nga drejtësia.
Në kuadër të hetimeve për atentatin e fundit, Drejtoria e Policisë së Lezhës ka konfirmuar shoqërimin e një personi në komisariat, ndërsa vijojnë verifikimet e mëtejshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm që i kanë ndihmuar në arratisje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






